Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka komentuar të konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe votimin e Qeverisë së re Kurti 3, duke theksuar rëndësinë e këtyre hapave për konsolidimin e funksionimit demokratik të vendit.
“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë hapa të rëndësishëm për funksionimin demokratik të vendit. Shpresojmë që institucionet e reja të krijohen me përgjegjësi dhe bashkëpunim, duke pasur në fokus interesin publik dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.
Ai ka theksuar nevojën për zhvillim të qëndrueshëm dhe institucione funksionale: “Shoqëria jonë ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm, për institucione funksionale dhe për një kulturë bashkëpunimi që i përgjigjet standardeve të një demokracie moderne.”
Kryetari i kryeqytetit ka kërkuar gjithashtu punë konkrete dhe përgjegjësi institucionale nga Qeveria e re: “Si Kryeqytet nga kjo qeveri më shumë se retorikë, presim punë konkrete, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim, sidomos pas përvojave jo të kënaqshme nga mandati i kaluar. Koha kërkon seriozitet, vizion dhe angazhim real në shërbim të së mirës së përbashkët”, ka përfunduar Rama.
Ky reagim vjen pak ditë pas votimit të Qeverisë Kurti 3 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e cila ka marrë 66 vota për, 49 kundër dhe asnjë abstenim, duke shënuar fillimin e mandatit të tretë të kryeministrit Albin Kurti. /Telegrafi/