Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka reaguar ashpër ndaj Florentino Perez pasi Real Madridi arriti marrëveshje me UEFA-n për t’i dhënë fund projektit të Superligës.
Sipas Tebas, klubi madrilen ishte i vetmi që vazhdonte ta mbështeste planin për një garë të shkëputur nga strukturat tradicionale të futbollit evropian.
Ai ironizoi situatën duke deklaruar: “Një garë me një kundër vetes ishte e pamundur”.
Tebas ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Superligës që nga shpallja e saj, duke bashkëpunuar ngushtë me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, për ta kundërshtuar projektin.
Qëndrimi i tij, së bashku me presionin institucional dhe publik, bëri që disa klube të tërhiqeshin që në fazat e para.
Pas konfirmimit të marrëveshjes mes Real Madridit dhe UEFA-s, Tebas reagoi në rrjetet sociale, duke rikujtuar deklaratat e mëparshme të Perez.
“Më pak se 90 ditë më parë, Florentino Pérez pohonte se arritja e një marrëveshjeje me UEFA-n ishte pak a shumë një kapitullim”, shkroi ai.
Më pas, kreu i La Ligës shtoi një tjetër thumbim të drejtpërdrejtë ndaj presidentit të Real Madridit.
“Problemi nuk është ndryshimi, por mohimi që ndryshimi ka ndodhur. Kur ke lidership të vërtetë, nuk ke nevojë të rishkruash atë që the 90 ditë më parë”, deklaroi i pari i La Ligas.
Komentet e Tebas u interpretuan gjerësisht si një tallje e hapur ndaj lidershipit dhe kredibilitetit të Florentino Perez, duke thelluar edhe më tej përplasjen publike mes dy figurave të fuqishme të futbollit spanjoll./Telegrafi/