Në Gjykatën penale themelore në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin “Onkologjia”, ku ish drejtori i Klinikës për radioterapi dhe onkologji, Nino Vasev, së bashku me edhe dy onkologë, akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm të pacientëve. Në seancë, ekspertja sllovene Maja Ravnik dëshmoi për rezultatet mjekësore dhe terapitë e dhëna për disa pacientë.
Ekspertja theksoi se tek një paciente janë regjistruar tre diagnoza të ndryshme, me trajtim të njëkohësishëm për kancerin e rektumit dhe kancerin e gjirit, pa konfirmim të qartë të formës aktive të sëmundjes.
“Nëse bëhet fjalë për përparim të kancerit primar, sëmundja trajtohet si kancer primar. Nëse ndodh që pacientët të kenë dy kancere primare, gjë që ndodh, atëherë nevojitet të përcaktohet dhe konfirmohet se cili kancer është aktualisht aktiv dhe të trajtohet forma aktive. Për këtë shkak, në onkologji, është shumë me rëndësi të merret material i ri nga biopsia e metastazave, me të cilin konfirmojmë nëse bëhet fjalë për përsëritje të kancerit primar, apo mund të jetë një lloj tjetër kanceri, e në të njëjtën kohë, nevojitet të kontrollohen në mënyrë shtesë ndryshimet e mundshme në nivel molekular, sepse në periudhën që çon në metastazë, mund të ketë ndryshim në karakteristikat shumë themelore që janë të rëndësishme kur vendoset për zgjedhjen e terapisë”, theksoi Ravnik.
Ajo theksoi se tek një pjesë e pacientëve është vendosur imunoterapi pa analizë paraprake molekulare, që sipas saj, është e papërshtatshme dhe ka sjellur deri në progres të sëmundjes.
“Duke marrë parasysh terapinë primare, si dhe përshkrimin e problemeve të pacientes, mund të konkludoj se terapia e vendosur ka qenë e papërshtatshme, sëmundja nuk ka qenë nën kontroll dhe kjo ka sjellur deri në përkeqësimin shtesë të situatës, së bashku me progresin e sëmundjes”, tha ekspertja.
Në dëshminë e saj janë përmendur edhe shembuj, ku pacientët kanë marrë ilaçe, të cilat nuk kanë indikacione për llojin konkret të karcinomit, si dhe raste të dhënies së hemioterapisë në fazë të fundit të sëmundjes.
Mbrojtësi i të akuzuarit të parë, Nikolla Vasev, avokati Bobi Spirkovski, në deklaratë për media reagoi në metodologjinë e ekspertizës sllovene.
Ai theksoi se disa nga konkludimet e ekspertit janë në kundërshtim me parimet themelore të ekspertizës mjekësore dhe ligjore.
“Nuk duhet të shfrytëzohet fakti nga fleta e lëshimit për ditën e vdekjes së pacientit dhe të komentohet se atij iu dhanë ilaçe një ditë para vdekjes, të cilat mund ta kenë përkeqësuar gjendjen ose të kenë qenë shkaku i vdekjes. Metodologjia e tillë e ekspertizës është e ndaluar”, deklaroi Spirkovski, duke shtuar se mjeku në kohën e dhënies së terapisë nuk mund të parashikojë nëse pacienti do të jetojë edhe për disa muaj apo do të vdesë ditën e ardhshme.
Avokati tha se çdo ekspertizë duhet të bazohet në protokollet dhe ligjet kombëtare, e jo ekskluzivisht në standarde evropiane ose botërore. Gjykimi vazhdon nesër me procedurë dëshmuese.
Ish drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, së bashku me dy onkologë të tjerë, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të punësuar në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.
Procedura filloi edhe kundër një onkologeje tjetër, të akuzuarës së dytë, Meri Peshevska, e cila pranoi fajësinë para Gjykatës, pas çka Gjykata e dënoi me dy vjet burgim me kusht.
Aktakuza i akuzon mjekët për vazhdimin e “krimeve të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe “trajtim joadekuat”, me çka 29 pacientë janë trajtuar me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.
Krahas kësaj, Vasev dhe ish drejtori ekonomik i Klinikës janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarësh për buxhetin e shtetit.