Ballkani ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës pasi triumfoi ndaj Prishtinës në penallti me rezultat 11-10, meqenëse ndeshja pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve kishte përfunduar 3-3.
Prishtina kaloi në epërsi qysh në sekondat e para të ndeshjes, duke realizuar përmes Philippe Boueye për rezultatin 1-0 pas vetëm 18 sekondash lojë.
Kryeqytetasit arritën që të gjejnë edhe golin e dytë në pjesën e dytë, duke realizuar për 2-0 përmes Marko Ilievskit që u asistua nga Dren Zeqiri.
Epërsia e dyfishtë e Prishtinës nuk e zmbrapsi Ballkanin të cilët vazhduan të luftojnë deri në fund dhe kjo iu shpërblye atyre.
Mysafirët ngushtuan fillimisht shifrat në 2-1 në minutën e 78-të pasi mbrojtësi i Prishtinës, Ardian Limani, e dërgoi topin në rrjetën e tij.
Vetëm disa minuta më vonë, pas një ndërhyrje të palejueshme brenda zonës, Ballkani fitoi penallti të cilën e shndërroi në gol për 2-2 sulmuesi Almir Kryeziu.
90 minuta nuk mjaftuan dhe u desh që ndeshja të shkonte në vazhdime, atje ku shënuan edhe dy gola të tjerë, por sërish ndeshja nuk prodhoi fitues.
Ballkani realizoi e para në minutën e 98-të përmes Ivica Batarelos i cili shënoi një euro gol nga distanca për rezultatin 3-2.
Të besuarit e Afrim Tovërlanit ia dolën të rikthehen sërish, duke barazuar gjithçka në 3-3 në minutën e 102-të përmes Lorik Mehmetit që bëri një driblim të bukur brenda zonës dhe më pas e mposhti portierin kundërshtar.
Kështu ndeshja shkoi në penallti, aty ku më të saktë u treguan mysafirët duke triumfuar me shifrat 11-10./Telegrafi/