Juventusi është shumë pranë aktivizimit të detyrimit për ta blerë përfundimisht Lois Opendan, por sipas raportimeve nga Calciomercato, bardhezinjtë po mendojnë që tani për ta nxjerrë në shitje sulmuesin belg në afatin kalimtar të verës.
Openda iu bashkua Juventusit në fund të afatit të verës në formë huazimi për 3.3 milionë euro, plus deri në 800 mijë euro bonuse. Marrëveshja përfshin një detyrim blerjeje nëse plotësohen disa “kushte sportive”.
Sipas raportit, Juventusi do të jetë i detyruar ta blejë kartonin e tij nëse e mbyll sezonin e Serie A në vendin e 10-të ose më lart. Me 14 ndeshje të mbetura për sezonin 2025/26, Zonja e Vjetër aktualisht renditet e katërta me 46 pikë, plot 17 pikë larg zonës së poshtme të tabelës, çka e bën shumë të mundshëm aktivizimin e klauzolës.
Në këtë rast, Juventusi do të paguajë 40.6 milionë euro plus deri në 1.7 milionë euro bonuse për transferimin përfundimtar të belgut.
Megjithatë, drejtuesit torinezë nuk duken të bindur për të ardhmen e tij në “Allianz Stadium”. Openda ka shënuar vetëm dy gola në 31 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, ndërsa ka dyshime se profili i tij nuk i përshtatet skemës aktuale të trajnerit Luciano Spalletti.
Ai nuk konsiderohet një “numër 9” klasik dhe as nuk përshtatet plotësisht me rolet mbështetëse në sulm, që zakonisht mbulohen nga Kenan Yildiz, Fabio Miretti, Weston McKennie apo Francisco Conceição.
Juventusi kishte shqyrtuar mundësinë e largimit të tij që në janar, por kjo ishte e pamundur, pasi Openda kishte luajtur tashmë për dy klube në sezonin 2025/26 (RB Leipzig dhe Juventus), duke mos pasur të drejtë të aktivizohej për një skuadër të tretë brenda të njëjtit sezon.
Shitja e tij në verë, pa krijuar humbje financiare, mbetet një mision i vështirë. Për të shmangur një humbje kapitali këtë verë, Juventusi do të duhej të gjente një klub të gatshëm të paguante rreth 40.6 milionë euro. Në verën e vitit 2027, një ofertë rreth 30 milionë euro do të mjaftonte për të balancuar bilancin, ndërsa në vitin 2028 rreth 20 milionë euro.
Sipas Calciomercato, është pak e mundshme që këtë verë të vijë një ofertë prej 40 milionë eurosh. Një skenar më realist do të ishte që Openda të ketë një sezon më bindës në 2026/27, duke rritur vlerën e tij dhe duke mundësuar një transferim rreth 30 milionë euro në verën e vitit 2027. /Telegrafi/