Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se legjislatura e re po nis në një moment vendimtar për Kosovën dhe ka paralajmëruar procedimin për votim të një rezolute lidhur me proceset gjyqësore në Hagë.
“Kjo legjislaturë e re po nis në një moment vendimtar për Kosovën. Mbrojtja e së vërtetës, drejtësisë dhe shtetësisë në Hagë nuk është çështje partie, por obligim shtetëror e kombëtar”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se në seancën e parë të punës do të procedohet për votim një rezolutë e hartuar nga ekspertë të pavarur.
“Në seancën e parë të punës do ta procedojmë për votim Rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, e cila kërkon një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, që mishëron standardet më të larta ndërkombëtare”, ka theksuar Hamza.
Në fund, kreu i PDK-së ka ftuar për mbështetje të gjerë institucionale dhe politike.
“Presim mbështetjen e të gjithëve që besojnë në drejtësi, dinjitet dhe shtet”, ka përfunduar Hamza. /Telegrafi/