Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në deklaratën e parë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë .
Haxhiu tha se është e vetëdijshme për peshën kushtetuese që kjo pozitë mbartë.
“Faleminderit për besimin e dhënë. Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbartë dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Dhe këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë”, tha ajo.
E para e Kuvendit tha tutje se të jesh në krye të kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës, rendit demokratik dhe besimit publik, raporton Telegrafi.
“Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë edhe atyre që pajtohen me ne, edhe atyre që mendojnë ndryshe sepse shteti ju shërben të gjithëve. Detyra ime do të jetë që të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, tha ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/