Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar për emërimin e kabinetit të ri qeverisës komunal për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, duke theksuar se ekipi i ri përbëhet nga profesionistë me përvojë dhe energji të re.
“Sot, në kuadër të mandatit të ri qeverisës dhe me vendim të Kryesisë së partisë NISMA Socialdemokrate, kam emëruar kabinetin e ri qeverisës komunal”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se Vesel Krasniqi është emëruar nënkryetar i Komunës, ndërsa Arbëreshë Krasniqi drejtoreshë për Arsim dhe Edukim, Amrush Helshani drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Izet Hoti drejtor i Shërbimeve Publike, Avdi Morina drejtor i Urbanizmit, Blerim Thaçi drejtor për Buxhet dhe Financa, Syle Dukolli drejtor për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Rifat Mazreku drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër, Mirlindë Gashi drejtoreshë për Pronë, Jakup Gashi drejtor i Inspektoratit dhe Teutë Mazreku drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Sipas Kastratit, drejtoritë e Administratës, Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, si dhe Mbrojtjes dhe Shpëtimit, do të plotësohen në ditët në vijim me drejtorët e rinj, pas propozimeve nga partneri qeverisës LDK.
“Të gjithë së bashku do të angazhohemi për transparencë, përgjegjësi dhe realizimin e projekteve që i shërbejnë gjithë qytetarëve tanë, pa dallim”, ka deklaruar Kastrati, duke shtuar se “puna fillon menjëherë”. /Telegrafi/