Sot në Tiranë po zhvillohet zyrtarisht edicioni i katërt i Tourism Fair Albania (TFA26), panairi më i madh i dedikuar sektorit të turizmit në Shqipëri, i cili do të mbahet gjatë datave 11 dhe 12 shkurt 2026 në Pallatin e Kongreseve.
Eventi është i hapur për publikun e gjerë, ndërkohë që ruan një fokus të qartë B2B, të orientuar drejt bashkëpunimeve profesionale dhe takimeve mes aktorëve të industrisë ndërkombëtare të turizmit. Në këtë platformë me rëndësi rajonale dhe globale, po merr pjesë aktive edhe Unioni i Turizmit të Kosovës, duke përfaqësuar bizneset kosovare dhe potencialin turistik të vendit.
Panairi është hapur zyrtarisht me Ceremoninë e Hapjes më 11 shkurt, në orën 10:00, në hollin kryesor të Pallatit të Kongreseve, me pjesëmarrjen e Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe përfaqësuesve institucionalë, partnerëve dhe profesionistëve të sektorit.
Platformë strategjike me impakt ndërkombëtar
Tourism Fair Albania është konsoliduar ndër vite si një platformë strategjike e industrisë së turizmit, duke bashkuar operatorë turistikë, destinacione, struktura akomoduese, DMC, kompani të sektorit HoReCa, teknologji për mikpritjen, institucione publike dhe blerës profesionistë ndërkombëtarë.
Këtë vit, TFA26 po sjell në Tiranë 40 blerës ndërkombëtarë nga mbi 18 vende të botës, përfshirë SHBA, Kanada, Japoni, Kinë, Tajlandë, si dhe tregje kyçe europiane si Anglia, Gjermania, Irlanda dhe Franca. Në këtë kontekst, Unioni i Turizmit të Kosovës është duke zhvilluar takime B2B dhe prezantime direkte me partnerë të huaj, me synimin për të rritur flukset turistike drejt Kosovës dhe për të ndërtuar bashkëpunime konkrete për sezonet në vijim.
Diskutime strategjike dhe inovacion në turizëm
Gjatë dy ditëve të panairit, po organizohen mbi 15 panele diskutimi mbi tematika aktuale dhe strategjike të sektorit, si promovimi dhe pozicionimi i destinacioneve në tregun global, teknologjia në mikpritje, punësimi, bashkëpunimi ndërrajonal, standardet dhe cilësia e shërbimit, digjitalizimi i proceseve dhe pagesave, si dhe inteligjenca artificiale në turizëm.
Përfaqësues të Unionit të Turizmit të Kosovës po kontribuojnë në këto diskutime, duke prezantuar përvojat dhe potencialin e Kosovës si destinacion turistik gjithëvjetor, me fokus në turizmin malor, kulturor, aventurë dhe gastronomi.
Hapësirë edhe për publikun e gjerë
Përveç dimensionit profesional, panairi po ofron edhe një përvojë dinamike për publikun e gjerë. Vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me ofertën turistike të Shqipërisë dhe rajonit, përmes prezantimeve, performancave artistike dhe aktiviteteve të ndryshme.
Pjesëmarrja e Unionit të Turizmit të Kosovës në Tourism Fair Albania 2026 po konfirmon angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për pozicionimin e Kosovës në hartën ndërkombëtare të turizmit.
Tourism Fair Albania 2026
Data: 11-12 shkurt 2026
Vendndodhja: Pallati i Kongreseve, Tiranë