Toyota ka punuar për shumë vite për të sjellë automjete elektrike me bateri të ngurta dhe tani po bën një hap të rëndësishëm përpara.
Partneri i saj, Idemitsu Kosan, ka njoftuar ndërtimin e një impianti për prodhimin e elektrolitit të ngurtë, një komponent kyç për bateritë e ardhshme.
Idemitsu Kosan, një gjigant japonez i naftës, ka nisur kërkime mbi materialet për bateritë e ngurta që nga mesitet e viteve 1990 dhe ka filluar bashkëpunimin me Toyotën në vitin 2023. Impianti i ri do të ketë kapacitet vjetor disa qindra tonë elektroliti të ngurtë dhe pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit të ardhshëm.
Përveç këtij impianti, po ndërtohet edhe një fabrikë për prodhimin e sulfidit të litiumit. Kompania njofton se squfuri, një nënprodukt i rafinerive të saj, do të përdoret për prodhimin e elektrolitit të ngurtë, duke reduktuar mbetjet dhe duke maksimizuar efikasitetin.
Ndërkohë, edhe në Kinë prodhuesi i automjeteve Chery ka nisur ndërtimin e një fabrike për bateri të ngurta, dhe modelet e para me këto bateri pritet të dalin këtë vit.
Prodhues të tjerë kryesorë janë gjithashtu aktivë në këtë fushë: Volkswagen ka bashkëpunuar prej kohësh me QuantumScape, ndërsa Mercedes ka instaluar vitin e kaluar një bateri të ngurtë me qelizat e veta në modelin EQS.
Testuesit kanë udhëtuar mbi 1200 km nga Stuttgart në Malmö pa ndaluar për karikim, duke treguar potencialin e jashtëzakonshëm të teknologjisë së re. /Telegrafi/