Roberto De Zerbi është gati të përfundojë një kapitull që premtonte shumë më tepër sesa dha në fakt.
Në Marseille, tashmë pranohet se trajneri italian nuk do të vazhdojë në stolin e ekipit pas një sezoni që ka lënë shumë dyshime.
Eleminimi nga Liga e Kampionëve dhe pamundësia për të ndjekur ritmin e liderit kanë përshpejtuar një vendim që dukej i pashmangshëm.
De Zerbi erdhi te Olympique de Marseille me reputacionin e një trajneri modern dhe me stil të qartë loje, por rezultatet nuk e kanë shoqëruar në momentet kyçe të sezonit.
Eleminimi i hershëm në Ligën e Kampionëve ishte goditja e parë e madhe, ndërsa performanca e paqëndrueshme në Ligue 1 ndaj Paris Saint-Germain ka shtuar frustrimin tek drejtuesit dhe tifozët.
Manchester United shihet si destinacioni më i mundshëm për sezonin 26/27.
Në ‘Old Trafford’, ai konsiderohet si profili ideal për të udhëhequr një rindërtim të thellë.
Aftësia e tij për të implementuar një stil të njohshëm loje, për të punuar me talentin e ri dhe karakteri ambicioz e bëjnë atë zgjedhjen e duhur për klubin.
Mësohet se De Zerbi është prioritet i brendshëm në strukturën sportive të United.
Për trajnerin italian, një aventurë në Ligën Premier do të ishte një sfidë e madhe dhe mundësi për të rivendosur kredencialet pas eksperiencës së trazuar në Francë.
Man Utd kërkon një trajner me personalitet të fortë dhe vizion të qartë për të rikthyer stabilitet në projektin e tyre, dhe De Zerbi shihet si kandidati ideal për të arritur këtë qëllim. /Telegrafi/