Mediat lokale të komuniteteve joshumicë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida serioze financiare, strukturore dhe profesionale, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tyre dhe rolin e tyre në informimin e qytetarëve, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore.
Këto tema u diskutuan në “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ku u trajtua gjendja e mediave nga komunitetet, presionet me të cilat përballen dhe sfidat e reja që lidhen me dezinformimin dhe zhvillimet teknologjike.
“Mediat e komuniteteve janë më të prekurat”
Lendrit Qeli, Drejtor Ekzekutiv i organizatës “Prosperiteti” në Gjakovë, tha se megjithëse krizat financiare prekin të gjitha mediat, pasojat janë shumë më të rënda për mediat e komuniteteve joshumicë.
“Kjo sfidë i prek të gjitha mediat, por në një dozë shumë më të madhe mediat nga radhët e komuniteteve joshumicë,” theksoi Qeli shkruan Telegrafi.
Ai shpjegoi se mungesa e mbështetjes institucionale ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e mediave nga komunitet, duke përmendur raste konkrete të mos financimit.
“Ka ndodhur që tri vite radhazi të aplikojmë dhe të mos përfitojmë asgjë, edhe pse kemi qenë mediumi i vetëm i komunitetit egjiptas,” tha ai.
Sipas Qelit, në shumë raste mediat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë krahasuar me media të tjera.
“Shpesh jemi mbështetur vetëm me 50 ose 60 për qind të asaj që marrin media të tjera, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në kapacitetet tona,” shtoi ai.
Staf i kufizuar dhe rrezik real i mbylljes
Edhe Fatmir Menekshe, Drejtor Ekzekutiv i Radio Romano Avazo në Prizren, theksoi se mungesa e fondeve të qëndrueshme po reflektohet drejtpërdrejt në largimin e stafit dhe rrezikun e mbylljes së mediave komunitare.
“Ne kemi krijuar kuadro, por ato kuadro janë larguar, sepse një muaj kemi mbështetje, e muajin tjetër jo,” deklaroi Menekshe shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se aktualisht radioja funksionon me vetëm dy persona në staf, ndonëse transmeton 24 orë në ditë.
“I kemi rinovuar të gjitha pajisjet falë donatorëve, por tash nuk kemi shumë njerëz që të punojnë me to,” u shpreh ai.
Sipas Menekshes, pa një mbështetje të qëndrueshme financiare, ekziston rrezik real që mediat komunitare të falimentojnë.
“Shpeshherë rrezikohemi që të mbyllemi krejt si media,” paralajmëroi ai.
Të dy përfaqësuesit theksuan se mediat nga komunitet nuk kanë vetëm rol informues, por edhe rol social dhe avokues, duke shërbyer si adresë e parë për qytetarët që përballen me probleme të ndryshme.
“Ne nuk jemi vetëm media që informojmë. Ne asistojmë, avokojmë dhe ndihmojmë komunitetin me rezultate të prekshme,” tha Menekshe.
Dezinformimi dhe inteligjenca artificiale, sfida të reja
Në pjesën përmbyllëse të diskutimit, u theksua se dezinformimi, sidomos gjatë zgjedhjeve dhe në kohën e inteligjencës artificiale, paraqet një sfidë shtesë për mediat lokale dhe komunitetet që ato përfaqësojnë.
Lendrit Qeli vlerësoi se komunitetet janë më të cenueshme ndaj lajmeve të rreme për shkak të nivelit më të ulët të edukimit medial.
“Audienca jonë shpesh e merr informacionin si të mirëqenë, pa pasur rezervë për ta verifikuar,” tha ai.
Ndërsa Menekshe theksoi se teknologjia duhet shfrytëzuar me kujdes dhe me investim paralel në edukim medial.
“Duhet të ecim me kohën, por edhe të investojmë më shumë në edukim medial dhe në trajnime për inteligjencën artificiale,” përfundoi ai./Telegrafi/