Rrjeti i OSHC-ve të Arsimit Parauniversitar (ROSCAP) ka reaguar pas incidentit të ndodhur në një shkollë në Prishtinë, ku një mësimdhënës dyshohet se ka përdorur dhunë fizike ndaj një nxënësi, ndërsa disa nxënës kanë sulmuar mësimdhënësin.
ROSCAP ka dënuar çdo formë dhune në shkolla, duke e cilësuar rastin si tregues të nevojës urgjente për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Ky incident është një tregues i qartë për nevojën urgjente për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe mbështetës në shkolla, ku nxënësit dhe mësimdhënësit mund të punojnë dhe të mësojnë pa frikë nga dhuna”, thuhet në deklaratën e ROSCAP-it.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtoritë komunale të arsimit dhe organet e tjera relevante, që të rrisin masat e sigurisë në shkolla, përfshirë instalimin e kamerave, trajnimin e stafit për menaxhimin e situatave të tensionuara dhe forcimin e pranisë së sigurisë fizike.
ROSCAP ka kërkuar gjithashtu krijimin e mundësive për trajnim dhe mbështetje psikologjike për nxënësit dhe mësimdhënësit, forcimin e politikave të mbrojtjes së nxënësve dhe stafit shkollor, si dhe përmirësimin e mbështetjes për nxënësit në rrezik.
“Është koha që të ndërmerren hapa të menjëhershëm dhe konkretë për të parandaluar dhe ndaluar dhunën në shkolla, në mënyrë që çdo nxënës dhe mësimdhënës të ndjehet i sigurt në mjedisin shkollor”, theksohet në deklaratë.
ROSCAP ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut në arsim dhe ka bërë thirrje për veprim të përbashkët të të gjithë akterëve për të mbrojtur mirëqenien dhe sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor. /Telegrafi/