Në muajin nëntor, Ronald Araujo mori kartonin e kuq gjatë humbjes 3-0 të Barcelonës ndaj Chelseat dhe përjetoi një krizë të vështirë psikologjike.
Futbollisti pati nevojë për disa muaj për t’u rikuperuar, ndërsa Barcelona i dha kohë për t’u rikthyer ngadalë në stërvitje dhe për të rifituar formën.
Pau Cubarsi, i ri në ekipin e parë të Barcelonës, ka folur për situatën e Araujos dhe për mbështetjen që i kanë dhënë si shokë ekipi.
“Na la të tronditur ta shihnim një shok dhe mik si Araujo të kalonte diçka të tillë”.
“Është shumë e rëndësishme që ai foli hapur për këtë, sepse shëndeti mendor është thelbësor. Fatmirësisht, tani mund të kthehet të shijojë atë që do më shumë — futbollin”, deklaroi ai.
Cubarsi shtoi se ekipi ka bërë disa ndryshime të vogla që kanë ndihmuar për të përmirësuar lojën dhe për të rritur besimin në ekip.
“Kemi rregulluar disa gjëra që nuk po funksiononin mirë më parë ose që i kishim harruar gjatë verës… tani i kemi zgjidhur. Të gjithë po japin maksimumin. Gerard Martín ka nisur të luajë në qendër të mbrojtjes dhe është një përforcim i madh. Të gjithë kanë besimin e trajnerit, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ekipin”, shtoi ai.
Araujo tani është rikthyer në formë të plotë, por po përballet me sfidën për të zënë vend në formacionin titullar. /Telegrafi/