Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West, në deklaratën e saj përmbyllëse para trupit gjykues, theksoi përmasat dhe rëndësinë e procesit gjyqësor që ka zgjatur më shumë se 140 ditë.
Sipas saj, gjatë këtij procesi janë aprovuar mbi 5 mijë prova materiale, ndërsa dëshminë e kanë dhënë më shumë se 130 dëshmitarë, përcjell Telegrafi.
“Ka qenë privilegj për mua të takoj njerëzit që kanë qenë të përfshirë në këto ngjarje – njerëz që kanë jetuar për më shumë se 20 vite me pasojat e krimeve”, deklaroi West.
Ajo theksoi se Zyra e Prokurorit Special ka punuar pa ndërprerje për t’u siguruar që viktimat të marrin drejtësi dhe që individët përgjegjës të mbajnë llogari për veprimet e tyre.
Sipas saj, këto përpjekje përfaqësojnë parimet themelore të shtetit ligjor.
“Shteti i së drejtës është më i rëndësishëm se kurrë, veçanërisht në kohë lufte”, u shpreh prokurorja, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë bazohet në provat e paraqitura gjatë gjykimit. /Telegrafi/