Edhe sot, do të vazhdojnë deklaratat përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Seanca e dytë e fazës përfundimtare të gjykimit më të madh që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të nisë në orën 9:00. Gjatë ditës së hënë, në pjesën përmbyllëse të seancës, u prezantuan deklarata që kishin të bënin me funksionimin dhe strukturën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ose gjithsej 180 vjet burg. Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është bërë e ditur se gjatë seancës së sotme, prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të paraqitur përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet që prokurorja e specializuar, Kimberly West, të mbajë fjalën përmbyllëse.
Në këtë fazë përfundimtare, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe vetë ish-krerët e UÇK-së kanë mundësinë e fundit për t’i paraqitur trupit gjykues argumentet dhe parashtrimet e tyre përfundimtare.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese.
Katër ish-eprorët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës.
Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për fatin e katërshes së UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me personel ndërkombëtar dhe janë të vendosura në Hagë, Holandë.
Gjykata Speciale financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare. /Telegrafi/