Biznesmeni Fisnik Syla është përmendur së fundmi në mediat belge, pas raportimeve se ai ishte ndaluar në aeroportin e Brukselit-Zaventem teksa po tentonte të udhëtonte me 140 mijë euro cash. Lajmi ka ngjallur interes të madh, duke bërë që vetë Syla të reagojë publikisht për të sqaruar situatën.
Në një lidhje përmes Skype për emisionin “ABC e Mëngjesit”, Fisnik Syla ka mohuar çdo keqkuptim apo problem ligjor, duke theksuar se bëhej fjalë vetëm për një kontroll rutinë nga autoritetet aeroportuale. Ai ka shpjeguar se shuma e parave ishte tërhequr në mënyrë të rregullt nga banka dhe destinacioni i tij ishte Dubai.
“Unë kam pasaportë diplomatike dhe ju e dini që me një pasaportë të tillë është më lehtë sesa me një pasaportë normale. Unë ato lekë i kisha nga banka dhe do udhëtoja në Dubai. Ata më verifikuan që i kisha nga banka dhe gjithçka ishte në rregull, thjesht një kontroll. Vazhdova normalisht”, u shpreh Syla.
– YouTube youtu.be
Sipas tij, nuk ka pasur asnjë ndalim apo sekuestrim të parave, ndërsa procedura ka përfunduar pa asnjë problem, duke i mundësuar vazhdimin e udhëtimit. Biznesmeni theksoi se lajmet e publikuara në disa media nuk pasqyrojnë saktë realitetin e ngjarjes.
Deklarata e Fisnik Sylës vjen për të hedhur poshtë spekulimet dhe për të qartësuar se rasti i tij në aeroportin e Brukselit-Zaventem ka qenë thjesht një verifikim standard, pa pasoja apo shkelje ligjore.