Premtimet janë të vështira për t’u mbajtur, por një tifoz i Manchester United ka respektuar marrëveshjen e tij virale për më shumë se një vit – dhe duket se është gati ta çojë deri në fund, për mirë a për keq…
Tashmë, me shumë gjasë keni dëgjuar për tifozin e pafat të Manchester United që u betua se nuk do t’i priste flokët derisa “Djajtë e Kuq” të fitonin pesë ndeshje radhazi.
Ai vështirë se mund ta kishte imagjinuar ndikimin që ky premtim do të kishte në kulturën e tifozëve të futbollit – apo edhe në jetën e tij personale – me miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe me emrat më të mëdhenj të sportit që tashmë e dinë kush është.
Ja gjithçka që duhet të dini për The United Strand – udhëtimin viral “me flokë” të një tifozi drejt famës në botën e futbollit.
Çfarë është sfida e flokëve “The United Strand”?
The United Strand është emri i një fenomeni online që lindi pas një deklarate publike të bërë nga tifozi i përkushtuar i Manchester United, Frank Ilett.
I lodhur nga paqëndrueshmëria e vazhdueshme e ekipit të tij të zemrës, Ilett u betua në tetor të vitit 2024 se nuk do t’i priste flokët derisa Man United të fitonte pesë ndeshje rresht. As ai dhe as ndjekësit e tij nuk e menduan se, 16 muaj më vonë, sfida do të ishte ende në fuqi.
Flokët e tij, që u rritën në një afro gjithnjë e më të madh, u kthyen në një shaka të vazhdueshme mes tifozëve, një “barometër flokësh” që tregonte paqëndrueshmërinë e Man United. Media vendase dhe ndërkombëtare e trajtuan këtë fenomen si një simbol të kulturës së tifozëve.
“Filloi thjesht si një shaka. Mendova se do të ishte diçka argëtuese, për të sjellë pak humor në një periudhë shumë të dhimbshme për tifozët e Manchester United”, deklaroi Ilett për Sky Sports.
Megjithatë, jo të gjithë e morën me sportivitet. Në shtator të vitit 2025, Ilett u sulmua fizikisht nga një tifoz tjetër gjatë fitores 2-1 të United ndaj Chelseat në “Old Trafford”.
“Qëllimi im kurrë nuk ishte të nxirrja në pah të metat e Man United, por të përhapja pozitivitet dhe humor”, këmbënguli ai.
Kur nisi sfida e flokëve?
Sfida The United Strand nisi zyrtarisht më 5 tetor 2024. Që prej asaj dite, flokët e Ilett kanë “mbijetuar” nën drejtimin e tre trajnerëve të ndryshëm të Manchester United: Erik ten Hag, Ruben Amorim dhe tani Michael Carrick.
Deri më 9 shkurt 2026, sfida kishte zgjatur 492 ditë – pra një vit, katër muaj dhe shtatë ditë.
Kur do të përfundojë sfida?
Përgjigjja është e thjeshtë në teori: kur Manchester United të fitojë pesë ndeshje radhazi.
Pas fitores ndaj Tottenhamit më 7 shkurt, që ishte fitorja e katërt rresht, ekziston mundësia që sfida të marrë fund nëse Man United fiton edhe ndaj West Hamit më 10 shkurt 2026.
Madje, është konfirmuar edhe një video “watchalong”, ndërsa Ilett u shpreh optimist.
“Carrick është në timon, këto flokë po ikin shumë shpejt. West Ham është i radhës, katër nga pesë të kryera – për herë të parë që nga nisja e sfidës. Këtë herë po ndodh! Faleminderit Carrick!”, deklaroi ai.
Madje ai ka propozuar gjatë ditës, katër stile flokësh që tifozët mund të votojnë. Shumica e votave, apo 67 përqind mendojnë që ai duhet të kthehej në tullac.
Kur e fitoi për herë të fundit Man United pesë ndeshje radhazi?
Pavarësisht talljeve nga tifozët e Aston Villas, të cilët arritën 11 fitore radhazi në sezonin 2025/26, një seri prej pesë fitoresh nuk është e lehtë as për ekipet më të mira në Ligën Premier.
Duhet të kthehemi në shkurt 2024 për herën e fundit kur Manchester United arriti pesë fitore rresht.
Seria filloi me fitoren ndaj Newport County në FA Cup dhe vazhdoi me fitore ndaj Wolves, West Ham, Aston Villa dhe Luton Town. /Telegrafi/