Ky njeri për të cilin po shkruajmë, shumën e madhe të parave që e fitoi në bingo ia dedikoi klubit të tij të zemrës. Julio Roque Perez gjatë gjithë jetës së tij luftoi me varfërinë, nuk kishte para dhe jetonte në rrugë.
Por edhe përkundër kësaj, ai nuk mungonte në asnjë ndeshje të Godoy Cruz, klub i njohur argjentinas dhe, në një mënyrë apo tjetrën, gjente një vend në stadium.
Por fati njëherë trokiti në derën e tij. Perez, kur ishte vetëm 15 vjeç, në lojën e bingos “San Juan” fitoi çmimin e madh. Kur të gjithë mendojnë për shtëpinë apo veturën e fundit që ta blejnë me këto para, mendimi i Perez ishte ndryshe.
Pasi nuk dinte shkrim dhe lexim, për ta tërhequr shumën në bingo, shkoi me ndihmën e të afërmve të tij. Por pa e menduar dy herë, shumën e marrë nga bingo ia dedikoi klubit të tij të zemrës, Godoy Cruz.
Me këto para klubi rregulloi ulëset e tribunave, por edhe sistemin e dritave. Pasi e fitoi vendin e tij të përhershëm në stadium, Roque Perez, sa herë futej brenda, njerëzve përreth iu thoshte: “Këto drita janë të mijat”.
Klubi dhe qyteti këtë besnikëri të paparë nuk e lanë pa e shpërblyer, duke ia dhënë emrin e tij një rruge afër stadiumit.
Po ashtu, edhe në stadiumin që ai e rinovoi, aty afër iu bë një statujë e tij, sa ishte gjallë.
Julio Roque Perez ndërroi jetë në kohën e pandemisë, më 12 maj 2020, në moshën 80-vjeçare.
Në stadiumin “Feliciano Gambarte”, karrigia ku ai ulej, e kthyer në statujë, e njohur si “Tifozi numër 1”, vazhdon të qëndrojë në nderim të tij. /Telegrafi/