Mesfushori i Newcastle United, Sandro Tonali, është i hapur për një rikthim në Itali para afatit kalimtar të verës, sipas “GiveMeSport”.
25-vjeçari, i cili iu bashkua Newcastle nga AC Milan, së fundmi është lidhur me një largim të mundshëm nga “St James’ Park”. Agjenti i tij kishte kontaktuar Arsenalin në ditën e fundit të afatit kalimtar për një marrëveshje të mundshme për reprezentuesin italian.
Tonali mund të jetë në qendër të një beteje transferimesh në Liga Premier ku përfshihen Arsenal, Manchester United dhe Manchester City. Megjithatë, rikthimi në Serie A mbetet një mundësi e fortë, me Juventusin që është i interesuar për mesfushorin. Thuhet se italiani është i gatshëm të kthehet në Itali për arsye personale.
Newcastle besohet se e vlerëson mesfushorin të paktën 80 milionë funte, ndërsa disa raporte sugjerojnë se mund të duhen mbi 100 milionë funte që klubi të hyjë në negociata.
Edhe pse interesimi nga klubet e mëdha të Ligës Premier nuk përjashtohet, preferenca e Tonalit duket të jetë një kalim te Juventusi nëse paraqitet mundësia.
“Magpies” janë në pozitë të fortë negociuese, pasi Tonali ka kontratë deri në vitin 2029 dhe ekziston edhe opsioni për një vit shtesë./Telegrafi