Shërbimi i Fiziatrisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka ofruar mbi 31 mijë seanca fizioterapie gjatë vitit 2025, duke u shërbyer qindra pacientëve nga rajoni.
Sipas njoftimit të spitalit, ky shërbim funksionon me një mjeke specialiste të fiziatrisë dhe një staf prej shtatë fizioterapistësh, të mbështetur nga aparaturë moderne dhe hapësira të kompletuara për trajtim dhe rehabilitim.
Gjatë vitit të kaluar, Shërbimi i Fiziatrisë, i udhëhequr nga dr. Hyrije Koci, ka ofruar shërbime shëndetësore për 840 pacientë, të cilët kanë realizuar gjithsej 31.834 seanca të ndryshme fizioterapie.
Nga spitali bëhet e ditur se pacientët që kanë nevojë për shërbime fizioterapie fillimisht duhet të paraqiten për konsultë mjekësore, ku pas vlerësimit profesional, mjeku vendos nëse pacienti duhet të trajtohet me seanca fizioterapie apo me terapi tjetër përcjellëse për mjekim.
Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë thekson se synon vazhdimisht avancimin e shërbimeve rehabilituese dhe rritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve në rajon. /Telegrafi/