Peja arriti një fitore të madhe në kryeqytet, duke mundur Sigal Prishtinën me rezultatin 82:78 në ndeshjen e xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja u zhvillua të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe u vendos kryesisht falë paraqitjes fantastike të fundorit Musab Mala, i cili përfundoi takimin me 22 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime, pa asnjë top të humbur dhe me një top të rrëmbyer.
Te Peja spikatën edhe qendra Logan Routt me 19 pikë dhe 11 kërcime, si dhe Oshowen Williams me 14 pikë, nëntë asistime dhe tetë kërcime. Tajh Green shtoi 16 pikë e pesë kërcime, duke kontribuar në fitoren vendimtare të ekipit pejan.
Te Sigal Prishtina, paraqitjen më të mirë e bëri Adrio Bailey me 25 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Kahlil Dukes shtoi 13 pikë dhe Valmiir Kakruki 12.
Ndeshja nisi me një çerek të parë të barabartë, ndërsa Prishtina bëri një shkëputje prej shtatë pikësh në të dytin, duke përfunduar pjesën e parë 42:34 në favor të skuadrës vendase.
Por Peja reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 26:15, duke kaluar në avantazh 60:57. Në çerekun e katërt, skuadra e verdhë arriti të shkëputej deri në dhjetë pikë dhe mbajti epërsinë deri në fund, pavarësisht presionit të shtuar të Prishtinës.
Kjo ishte fitorja e dhjetë e Pejës këtë sezon, me nëntë humbje, duke mbajtur vendin e tretë me 29 pikë. Prishtina pësoi humbjen e 11-të dhe mbetet në vendin e gjashtë me tetë fitore dhe 27 pikë, të barabarta me Yllin në vendin e pestë. /Telegrafi/