Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese.
Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo rritje është arritur falë operimit të qëndrueshëm mbi standardin normal, në veçanti përmes funksionimit të njëkohshëm të tri njësive të Termocentralit Kosova A.
“Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. ka realizuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese”, thuhet në njoftimin e KEK.
Gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson një rritje prej 27 për qind, apo 46,539 MWh më shumë energji elektrike.
Ndërkaq, në muajin janar 2026, KEK bën të ditur se prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në një rritje prej 32.9 për qind, respektivisht 63,003 MWh më shumë energji elektrike.
“Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake”, thuhet më tej në njoftim.
KEK vlerëson se këto rezultate kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.
“Këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ të KEK”, thekson korporata.
Në fund, KEK Sh.A. rithekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, efikas dhe transparent, në funksion të interesit publik dhe forcimit të sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës./Telegrafi/