Qeveritë evropiane po mbeten prapa shteteve tjera në përdorimin e Inteligjencës Artificiale (Al) në shërbimet publike, sipas një studimi të ri.
Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po përpiqen t’i përkthejnë ambiciet e Al në mjete praktike për nëpunësit civilë, sipas Indeksit të Adoptimit të Inteligjencës Artificiale në Sektorin Publik 2026.
Studimi, i botuar nga Public First për Qendrën për Inovacionin e të Dhënave me sponsorizim nga Google, zbulon se ndërsa përdorimi i Al po përshpejtohet në nivel global, vendet evropiane po ndjekin një qasje më të kujdesshme dhe që shmang rrezikun, gjë që i ka lënë shumë nëpunës publikë pa qasje në teknologjinë që po riformëson punën qeveritare diku tjetër.
Pavarësisht përdorimit të gjerë — 74% e nëpunësve publikë në nivel global tani përdorin Al dhe 80% ndihen të fuqizuar prej saj — vetëm 18% mendojnë se qeveritë e tyre po e përdorin teknologjinë në mënyrë shumë efektive, shkruan euronews.
Indeksi bazohet në një anketë me 3,335 nëpunës publikë në 10 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Brazilin, Afrikën e Jugut, Indinë, Singaporin dhe Arabinë Saudite.
Franca u rendit e fundit në studim
Midis dhjetë vendeve të anketuara, Franca u rendit e fundit në studim, me 74% të nëpunësve publikë francezë që thanë se Al nuk mund të kryente asnjë pjesë të punës së tyre dhe rreth 45% raportuan se nuk e përdorin kurrë Al në punë.
Vetëm 27% e punëtorëve në Francë raportuan investime organizative në mjetet e Al dhe shumë prej tyre thanë se udhëzimet e lidershipit për përdorimin e Al ishin të paqarta.
Kjo përvojë e kufizuar praktike duket se po formëson qëndrimet.
Shumë nëpunës publikë francezë nuk presin që Al të përmirësojë efikasitetin.
“Ndërsa Franca e pozicionon Al si një mjet strategjik për konkurrueshmërinë dhe modernizimin, pa përvojë praktike, vlera e saj mbetet abstrakte për shumë punëtorë”, vuri në dukje raporti.
Gjetjet janë veçanërisht të habitshme duke pasur parasysh investimet e konsiderueshme të Francës në infrastrukturën e Al dhe zhvillimin e kornizave etike që synojnë të udhëzojnë vendosjen e Al në qeveri.
Raporti paralajmëron se 70% e punonjësve që përdorin në mënyrë aktive Al në organizata me udhëzime të kufizuara po e përdorin atë në “hije”, që do të thotë se po përdorin mjete të Al pa dijeninë e punëdhënësve të tyre.
Qëndrimet e Evropës ndaj Inteligjencës Artificiale
Në të gjithë Evropën, miratimi mbetet i kujdesshëm.
Gjermania dhe Franca u grupuan midis vendeve që i shmangen më shumë riskut, ku përdorimi i Al është i kufizuar vetëm te specialistët dhe projektet pilot.
Mbretëria e Bashkuar tregoi përparim në përvetësimin e Al, por ende përballet me boshllëqe në udhëzime dhe infrastrukturë, me 37% të nëpunësve publikë që marrin një formë trajnimi për Al, por përvetësimi mbetet i pabarabartë nëpër departamente dhe shumë punonjës nuk kanë qasje në mjetet e miratuara.
Vende të tilla si Singapori, Arabia Saudite dhe India u identifikuan në krye të listës, duke kombinuar mbështetjen e fortë të lidershipit me përdorimin e gjerë dhe të përditshëm të Al në punën qeveritare.
Sondazhi mati përvetësimin në pesë fusha: qëndrimet ndaj Al, besimi në përdorimin e saj, qasja në mjetet e miratuara dhe udhëzimet për lidershipin, sa e integruar është Al në punën e përditshme dhe qasja në trajnim.
Ekipi që qëndron pas anketës thotë se këta faktorë përcaktojnë nëse qeveritë mund t’i shndërrojnë strategjitë në përmirësime reale në shërbimet publike.
Sondazhi u krye nga Qendra për Inovacionin e të Dhënave, me sponsorizimin e Google.
“Shumë qeveri kanë plane ambicioze për Al në sektorin publik, por disa po krijojnë kushte më të mira për përdorim në botën reale sesa të tjerat”, tha Rachel Wolf, CEO e Public First.
“Hulumtimi ynë tregon se kush po ia del mbanë dhe ku nevojitet përmirësim. Kjo ka rëndësi sepse Al efektive mundëson shërbime publike më të mira, rezultate më të forta për qytetarët dhe institucione publike më elastike”, shtoi ajo. /Telegrafi/