Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina u hapën zyrtarisht dje, ndërsa ceremonia madhështore e hapjes mahniti publikun në mbarë botën, veçanërisht përmes homazhit kushtuar ikonës së modës italiane, Giorgio Armani
Ceremonia u hap me një performancë spektakolare të Mariah Carey, e cila edhe një herë dëshmoi fuqinë e saj artistike – si përmes zërit karakteristik, ashtu edhe përmes një paraqitjeje skenike plot elegancë dhe shkëlqim. Muzika, dritat dhe koreografia krijuan një atmosferë solemne, por njëkohësisht emocionale, në përputhje të plotë me frymën olimpike.
Momenti që preku më shumë audiencën ishte segmenti i titulluar “Timeless Elegance” (Elegancë e përjetshme), i cili iu kushtua trashëgimisë së Giorgio Armanit dhe ndikimit të tij të jashtëzakonshëm në kulturën italiane dhe modën botërore. Përmes një defileje simbolike, vajza të veshura me kostume në ngjyrat e flamurit italian – jeshile, e bardhë dhe e kuqe, krijuan vizualisht vetë flamurin e Italisë, duke ndërthurur identitetin kombëtar me estetikën e modës së lartë.
Kostumet e paraqitura në këtë defile janë dizajnuar personalisht nga Giorgio Armani, duke reflektuar filozofinë e tij të njohur: linja të pastra, prerje të përpikta dhe elegancë që i reziston kohës. Ky homazh nuk ishte vetëm një nderim për një stilist, por për një epokë të tërë të modës italiane që Armani e përfaqësoi për dekada, transmeton Telegrafi.
Në Milano dhe në Itali në përgjithësi, moda nuk është thjesht industri, por pjesë thelbësore e identitetit kulturor. Pikërisht për këtë arsye, një defile i tillë në një ngjarje sportive të përmasave globale si Olimpiada, dëshmon se moda dhe sporti mund të flasin të njëjtën gjuhë universale: gjuhën e estetikës, disiplinës dhe emocioneve që bashkojnë botën.
Ky moment i ceremonisë së hapjes konfirmoi edhe një herë se Italia di të nderojë trashëgiminë e saj kulturore me dinjitet, ndjeshmëri dhe stil të pakrahasueshëm. /Telegrafi/