Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës dhe Rusisë një afat deri në qershor për të arritur një marrëveshje paqeje që do t’i japë fund luftës.
Në rast se afati nuk respektohet, administrata e SHBA-së pritet të ushtrojë presion mbi të dyja palët për të arritur një marrëveshje, shkruan cnn.
“Amerikanët po i inkurajojnë palët që t’i japin fund konflikteve deri në fillim të kësaj vere dhe është shumë e mundshme që ata do të bëjnë presion për t’i ndjekur këtë plan”, tha Zelensky.
“Ata duan të bëjnë gjithçka të mundshme deri në qershor për t’i dhënë fund luftës”, shtoi ai.
Lideri ukrainas gjithashtu bëri me dije se SHBA-ja ka propozuar mbajtjen e një rundi tjetër të bisedimeve javën e ardhshme në SHBA, dhe Ukraina ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Rundi i fundit trepalësh në Abu Dhabi nuk solli një marrëveshje të rëndësishme, pasi secila palë mbante qëndrimet e veta.
Rusia kërkon që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi, ku luftimet vazhdojnë të jenë intensive, një kusht që Kievi ka njoftuar se nuk do ta pranojë kurrë. /Telegrafi/