Arsenali po shqyrton mundësinë e një goditjeje të madhe në afatin kalimtar të verës për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, me “Topçinjtë” që janë të gatshëm të hyjnë në garë me Chelsean dhe Barcelonën për firmën e tij.
Ish-sulmuesi i Manchester Cityt ka lënë përshtypje shumë të mira në futbollin spanjoll, duke shënuar 40 gola në 88 paraqitje që nga transferimi i tij te Atletico Madridi. Këto paraqitje kanë bërë që klubi madrilen ta vlerësojë argjentinasin rreth 87 milionë funte.
Edhe pse Barcelona besohet se është destinacioni i preferuar i Alvarezit, problemet e vazhdueshme financiare të katalanasve mund t’u hapin rrugë klubeve të Ligës Premier për të tentuar transferimin e tij.
Arsenali e di se rikthimi i reprezentuesit argjentinas në Angli nuk do të jetë i lehtë, por sheh një mundësi reale nëse Atletico Madridi qëndron i palëkundur në çmimin e kërkuar, në një kohë kur interesimi për lojtarin është i madh nga e gjithë Evropa.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Arsenalit nuk do ta kishin problem të shpenzonin një shifër të tillë për të siguruar shërbimet e një sulmuesi të nivelit të Julian Alvarez, duke e parë atë si profilin ideal për të forcuar repartin ofensiv në sezonet e ardhshme./Telegrafi