E ardhmja e Juventusit po lidhet gjithnjë e më ngushtë me talentin turk Kenan Yildiz, një prej emrave më premtues të brezit të ri, i cili po fiton gjithnjë e më shumë një rol qendror në projektin sportiv të klubit bardhezi.
Talenti i lindur në vitin 2005 është vetëm një hap larg rinovimit të kontratës me bardhezinjtë, marrëveshje që do ta lidhë atë me klubin deri në qershor të vitit 2031, duke e konfirmuar si një shtyllë qendrore të projektit teknik të “Zonjës së Vjetër”.
Sipas La Gazzetta dello Sport, njoftimi zyrtar pritet të vijë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, duke formalizuar një marrëveshje që prej kohësh konsiderohet çështje kohe.
Kontrata e re parashikon edhe një rritje të ndjeshme të pagës, e cila pritet të arrijë rreth 6 milionë euro në sezon.
Ky është një sinjal i qartë i hapit përfundimtar të Yildiz drejt statusit të një lojtari lider dhe protagonisti absolut.
Sezoni aktual ka konfirmuar rritjen e vazhdueshme të numrit 10 të Juventusit, i cili ka qenë shpesh vendimtar me paraqitjet e tij: tetë gola dhe katër asistime në kampionat, si dhe një gol dhe dy asistime në Ligën e Kampionëve.
Shifra që dëshmojnë peshën dhe rëndësinë e tij në skuadër, si sot ashtu edhe për të ardhmen. /Telegrafi/