Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës, Berita Abazi, ka reaguar ndaj mungesës së Kryetarit Përparim Rama në seancën e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit të kryeqytetit.
“Seanca e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit të Prishtinës është ftuar nga Kryetari Perparim Rama, e i njëjti sot nuk është prezent në seancë”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Ajo ka theksuar gjithashtu vonesat në emërimet e zyrtarëve nëpër drejtoritë komunale.
“E edhe për më keq, sot jemi në ditën e 59-të që Perparim Rama ka tejkaluar afatet ligjore për emërimin e nënkryetarit dhe drejtorëve. Kaq për seriozitetin e tyre”, ka shtuar Abazi.
Reagimi vjen ndërkohë që Kuvendi i Prishtinës vazhdon diskutimet për miratimin e buxhetit për vitin aktual.
Rama aktualisht gjendet në Uashington, ndërsa mbetet të shihet se a do të kalojë buxheti. /Telegrafi/