Edhe pse është e lehtë të ndihesh i pafuqishëm përballë një diagnoze kanceri, një studim i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka konstatuar se më shumë se një e treta e të gjitha rasteve të kancerit në nivel global mund të parandalohen.
Pothuajse gjysma e këtyre rasteve përbëhen nga kanceri i mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës, që do të thotë se miliona kancere vdekjeprurëse çdo vit mund të shmangen përmes ndërhyrjeve mjekësore, ndryshimeve në sjellje dhe uljes së rreziqeve profesionale dhe mjedisore, shkruan sciencealert.
Analiza tregoi se në vitin 2022 u regjistruan pothuajse 19 milionë raste të reja të kancerit, nga të cilat rreth 38 për qind ishin të lidhura me 30 faktorë rreziku të ndryshueshëm.
Midis tyre janë pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, indeksi i lartë i masës trupore, mungesa e aktivitetit fizik, produktet e duhanit pa tym, ushqyerja e pamjaftueshme me gji, ndotja e ajrit, rrezatimi ultravjollcë, agjentët infektivë dhe më shumë se dhjetë ekspozime profesionale.
“Adresimi i këtyre shkaqeve të parandalueshme përfaqëson një nga mundësitë më të fuqishme për të ulur barrën globale të kancerit”, deklaroi Isabelle Soerjomataram, epidemiologe mjekësore në OBSH dhe autore kryesore e analizës.
Pirja e duhanit dhe alkooli si shkaqe kryesore
Pirja e duhanit renditet bindshëm në vendin e parë ndër faktorët e rrezikut që mund të parandalohen. Në vitin e analizuar, ajo lidhej me 15 për qind të të gjitha rasteve të kancerit, dhe rreziku ishte veçanërisht i theksuar te meshkujt, ku pirja e duhanit kontribuoi në plot 23 për qind të të gjitha diagnozave të reja.
Menjëherë pas duhanit, si faktori i dytë më i rëndësishëm i ndryshueshëm i stilit të jetesës, vjen konsumimi i alkoolit, i cili ishte përgjegjës për 3.2 për qind të të gjitha rasteve të reja të kancerit ose rreth 700 mijë diagnoza.
Roli i infeksioneve dhe ndotjes
Infeksionet u lidhën me rreth 10 për qind të rasteve të reja të kancerit. Te gratë, pjesa më e madhe e kancereve të parandalueshme shkaktohet nga virusi i papillomës humane me rrezik të lartë (HPV), i cili mund të çojë në kancer të qafës së mitrës.
Edhe pse ekziston një vaksinë që parandalon shumë sëmundje të lidhura me HPV-në, niveli i vaksinimit mbetet ende i ulët në shumë pjesë të botës. Një rol të rëndësishëm ka edhe ndotja e ajrit, ndikimi i së cilës ndryshon sipas rajonit.
Për shembull, në Azinë Lindore rreth 15 për qind e të gjitha rasteve të kancerit të mushkërive te gratë shkaktohen nga ajri i ndotur, ndërsa në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore ky përqindje te meshkujt arrin rreth 20 për qind.
Rastet e kancerit të stomakut, të cilat janë më të shpeshta te meshkujt, zakonisht lidhen me pirjen e duhanit dhe infeksionet që burojnë nga mbipopullimi, kushtet e këqija sanitare dhe qasja e kufizuar në ujë të pastër.
Mundësi për parandalim të synuar
Ekspertët theksojnë se këto të dhëna mundësojnë orientim më të mirë të masave parandaluese.
“Duke studiuar modelet në vende dhe grupe të ndryshme të popullsisë, ne mund t’u ofrojmë qeverive dhe individëve informacion më konkret për të ndihmuar në parandalimin e shumë rasteve të kancerit para se ato të shfaqen”, tha Andre Ilbawi, udhëheqës i ekipit për kontrollin e kancerit në OBSH dhe bashkautor i analizës. /Telegrafi/