“Shqip Up Comedy Festival” vjen këtë herë me një edicion të veçantë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e tij përtej Zvicrës.
Pas katër edicioneve të suksesshme të mbajtura në Cyrih, festivali i humorit shqiptar po e zgjeron territorin, duke sjellë për herë të parë shfaqje edhe në Gjermani.
Sipas njoftimit zyrtar, edicioni i radhës do të mbahet në dy qytete të rëndësishme gjermane, Këln dhe Dyseldorf, duke ofruar një përvojë unike për publikun shqiptar që jeton atje.
Në këto net komedie pritet të performojnë aktorë dhe humoristë të njohur shqiptarë, të cilët do të sjellin energjinë, satirën dhe humorin karakteristik që e ka bërë festivalin kaq të dashur për audiencën.
Lajmi është konfirmuar edhe përmes një postimi në faqen zyrtare të “Shqip Up Comedy Festival” në Instagram, ku bëhet e ditur se shfaqja do të mbahet më 25 prill 2026, në hapësirën Eltzhof Kulturgut, ndërsa biletat do të dalin së shpejti në shitje.
Ky zgjerim konsiderohet një tjetër sukses për festivalin, i cili vit pas viti po arrin të krijojë një identitet të fortë dhe të bashkojë shqiptarët përmes humorit dhe artit skenik.
Ndërkohë, deri në mbajtjen e shfaqjes së radhës në Gjermani, organizatorët kanë ftuar ndjekësit që të rikujtojnë atmosferën e edicionit të katërt të “Shqip Up Comedy”, të mbajtur në Cyrih, përmes pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.
– YouTube youtu.be
“Shqip Up Comedy Festival” vazhdon kështu të dëshmojë se humori shqiptar nuk njeh kufij, duke u shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm kulturor për diasporën shqiptare në Evropë. /Telegrafi/