Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar gjithsej gjashtë ankesa administrative që kanë të bëjnë me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, ka bërë të ditur se ankesat janë parashtruar nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas saj, një ankesë është dorëzuar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një tjetër nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe një ankesë nga Emilia Rexhepi, përfaqësuese e NDS-së. Po ashtu, një ankesë është paraqitur nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka (NDS) nga Prizreni.
Ndërkohë, dy ankesa të veçanta janë dorëzuar nga Bekim Haxhiu, gjithashtu kundër vendimeve të PZAP-së.
Gjykata Supreme ka afat ligjor prej pesë ditësh për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këto ankesa.