Amir Rrahmani pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës, kur Napoli do të luajë në udhëtim te Genoa në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A.
Në Itali, mediat kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e kapitenit të Kosovës për ekipin e udhëhequr nga trajneri Antonio Conte.
Të mërkurën, mediumi i afërt me klubin napolitan, “calcionapoli24”, publikoi statistika interesante për performancën e Napolit me dhe pa Rrahmanin në fushë.
Napoli duket si dy ekipe të ndryshme: me Rrahmanin dhe pa të. Ai mungoi në katër ndeshjet e fundit, ku skuadra regjistroi një barazim me Copenhagenin, një fitore ndaj Fiorentinës dhe humbje nga Juventusi dhe Chelsea, duke pranuar gjithsej tetë gola, shkruan ky medium.
Në total, pa Rrahmanin Napoli ka pësuar 26 gola në 15 ndeshje dhe ka regjistruar gjashtë humbje. Me Amirin në fushë, ekipi ka pranuar vetëm 11 gola në 19 ndeshje, shkruan “calcionapoli24”.
Rrahmani, dy herë kampion i Italisë me Napolin, ka pësuar këtë sezon lëndime muskulore që e kanë mbajtur larg fushës. Një lëndim i ngjashëm kishte ndodhur edhe në shtator, gjatë ndeshjes së Kosovës ndaj Zvicrës.
Pritet që kualiteti i tij dhe prezenca në mbrojtje të ndihmojnë Napolin të rifitojë stabilitetin dhe rezultatet pozitive në Serie A. /Telegrafi/