Girona ka konfirmuar zyrtarisht se portieri Marc-Andre ter Stegen do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këtë të premte, pas dëmtimit në kofshën e pasme të këmbës së majtë.
Klubi njoftoi se shkalla e saktë e dëmtimit dhe periudha e rikuperimit do të përcaktohen vetëm pas procedurës, duke i dhënë fund pasigurisë së ditëve të fundit rreth gjendjes së tij fizike.
Vendimi për operacion u mor pas ekzaminimeve shtesë të kryera gjatë kësaj jave, të cilat treguan se dëmtimi është më serioz sesa ishte vlerësuar fillimisht pas ndeshjes ndaj Oviedos.
Ter Stegen kishte luajtur vetëm dy ndeshje zyrtare me fanellën e Gironës dhe nuk kishte shfaqur shenja të dukshme dhimbjeje gjatë ndeshjes, çka vonoi diagnostikimin e plotë të problemit.
Tashmë, fokusi është zhvendosur te një proces rikuperimi që pritet të jetë i gjatë dhe që ndikon drejtpërdrejt si në planet e klubit katalanas ashtu edhe në objektivat personale të portierit gjerman.
Portieri gjerman ishte transferuar në Montilivi me synimin për të rifituar vazhdimësinë dhe rolin e një lojtari kyç, por kjo dëmtim e ka ndërprerë papritur procesin e përshtatjes.
Nga Girona po tregohet kujdes maksimal dhe nuk pritet të vendoset ndonjë afat konkret për rikthimin në fushë deri pas përfundimit të operacionit. Vetëm atëherë do të ketë një panoramë më të qartë për situatën e portierit, i cili edhe një herë është përballur me një goditje të pafat në një moment delikat të karrierës së tij. /Telegrafi/