Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ekipet e ndërmarrjes “Eko Regjioni” kanë realizuar sot një aksion pastrimi dhe krasitjeje të drunjve dhe shkurreve në disa pjesë të qytetit.
Sipas Totajt, aksioni është zhvilluar në lagjet “Ortakoll” dhe “Jeta e Re”, si dhe përgjatë rrugës “Wesley Clark”, me synim përmirësimin e mjedisit dhe të hapësirave publike.
“Ekipet e Eko Regjionit realizuan sot aksion pastrimi dhe krasitjeje të drunjve e shkurreve në lagjet ‘Ortakoll’ dhe ‘Jeta e Re’, si dhe në rrugën ‘Wesley Clark’ në Prizren, me qëllim përmirësimin e mjedisit dhe hapësirave publike”, ka deklaruar Totaj.
Ai ka bërë të ditur se ky proces nuk do të ndalet vetëm në këto zona, por do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të qytetit.
“Ky proces do të vazhdojë edhe në pjesët e tjera të qytetit”, ka theksuar kryetari i Prizrenit.
Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se aksione të tilla janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe rregullimin e hapësirave publike në qytet. /Telegrafi/