Problemet shëndetësore të trajnerit 80-vjeçar të ekipit kombëtar rumun të futbollit, Mircea Lucescu, janë më serioze nga sa dukej në fillim. Në fillim të javës, ai u shtrua me urgjencë në Spitalin Universitar në Bukuresht, ku ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore 24-orëshe.
Për shkak të gjendjes së tij, Federata Rumune e Futbollit mund të detyrohet të kërkojë një zëvendësim për një ndeshje vendimtare të fazës eliminatore në mars.
Rumania luan kundër Turqisë në gjysmëfinalet e fazës eliminatore të Kupës së Botës. Fituesi do të luajë në finale me fituesin e ndeshjes midis Sllovakisë dhe Kosovës.
Rumunët do të ndjekin kualifikimin e tyre të parë në Kupën e Botës që nga viti 1998, kur u eliminuan në raundin e 16-të nga Kroacia.
“Duke pasur parasysh informacionin që është shfaqur në media ditët e fundit, dhe veçanërisht sot, Federata Rumune e Futbollit dëshiron të sqarojë disa gjëra. Trajneri i ekipit kombëtar rumun, z. Mircea Lucescu, është shtruar në spital për mbikëqyrje mjekësore dhe po merr terapi me antibiotikë për një infeksion nënlëkuror. Shërimi i tij po ecën mirë”.
“Federata Rumune e Futbollit dhe Mircea Lucescu falënderojnë të gjithë për interesin dhe mesazhet e mbështetjes dhe kërkojnë respekt për të drejtën e privatësisë”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të federatës.
Mircea Lucescu në këtë deklaratë e ka thënë fjalën e tij, duke thënë që të qëndrojnë të qetë fansat rumun.
“Jam mirë, nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Ju lutem qëndroni të qetë, pati shumë ekzagjerime. Është thjesht një terapi që duhet ta bëj nën mbikëqyrje”, deklaroi ai.
Mjekët skeptikë për paraqtijen e tij në mars
Pavarësisht tonit qetësues të deklaratës zyrtare, burime mjekësore konfirmuan për GSP.ro se gjendja e trajnerit rumun është serioze.
Nuk bëhet fjalë për një ndërlikim të ftohjes, e cila shkaktoi daljen e tij nga spitali javën e kaluar, por për një sëmundje komplekse, kronike dhe afatgjatë.
“Gjendja e Mircea Lucescu është serioze, ai është nën mbikëqyrje të vazhdueshme”, thanë burime mjekësore për mediat rumune.
Ky është shtrimi i tretë në spital i Lucescut brenda muajit të kaluar. Të hënën, ai u shtrua përsëri me urgjencë në Spitalin Universitar të Bukureshtit, këtë herë në departamentin e kardiologjisë, ku po kujdeset një nga kardiologët më të mirë të Rumanisë, Dr. Cristian Udroiu.
Edhe pse ai është në gjendje të qëndrueshme dhe po ndjek ndeshjet e lojtarëve për ndeshjet e ardhshme nga dhoma e tij e spitalit nëpërmjet laptopit dhe tabletit, mjekët janë skeptikë se ai do të jetë në gjendje të shërohet plotësisht në më pak se dy muaj për të udhëhequr ekipin kombëtar nga stoli në Stamboll. /Telegrafi/