Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi, ka qenë protagonist në fitoren e Trabzonsporit ndaj Fethiyesporit, duke kontribuar me një gol dhe një asistim në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma për Kupën e Turqisë.
Ndeshja, e vlefshme për xhiron e tretë të Grupit A, u mbyll me rezultatin 3-0 në favor të Trabzonsporit, që tregoi dominim të plotë në fushë.
Muçi hapi serinë e golave duke shënuar në minutën e 69-të, kur realizoi golin e epërsisë 1-0, duke i dhënë skuadrës një avantazh të rëndësishëm në pjesën e dytë.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, ai ishte përsëri në qendër të vëmendjes, këtë herë si asistues, duke ndihmuar në realizimin e golit të tretë në minutën e 79-të.
Pas këtij suksesi, Trabzonspori ka grumbulluar gjashtë pikë nga tri ndeshje në Grupin A, ku njëkohësisht ndodhet edhe Galatasaray, një nga rivalët kryesorë në këtë kompeticion.
Muçi po kalon një formë të shkëlqyer edhe në kampionat, ku pas 17 xhirosh ka shënuar tetë gola dhe ka regjistruar një asistim.
Performanca e tij e fundit në Kupë vërteton se sulmuesi shqiptar po shfaq një konsistencë të lartë dhe po bëhet një element kyç për skuadrën e Trabzonsporit këtë sezon./Telegrafi/