Ministri i Ekonomisë ende nuk ka sjellë propozim që të mos rriten pagat e zyrtarëve, të cilat për shkak të rritjes së pagës mesatare pritet të rriten nga 200 deri në 300 euro.
Ai thotë se do t’i presë të dhënat nga Enti i Statistikave dhe më pas do të veprojnë njësoj si vitin e kaluar, kur u pengua rritja e pagave të funksionarëve përmes uljes së koeficientëve.
Durmishi e përsëriti qëndrimin për pagën minimale se Qeveria po lë që për këtë të merren vesh punëdhënësit dhe sindikatat.
“Paga minimale, nëse ju intereson kjo, në muajin mars do të nivelohet apo do të rritet rreth 7 ose 8 për qind. Nëse i bashkojmë vitin e kaluar, këtë vit dhe dy vitet e tjera që na vijnë, 2027 deri në 2028, do të kemi rritje rreth 40 për qind të pagës minimale. Rreth 40 për qind, nëse e marrim parasysh se paga minimale rritet për 7 ose 8 për qind”, deklaroi Besar Durmishi.
I pyetur nëse Qeveria do të pranojë subvencionimin e kontributeve që paga minimale të rritet në 600 euro, siç kërkon sindikata, ai tha se së shpejti do të ketë Këshill Ekonomiko-Social dhe aty do të merret vendimi.