Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet për rregullimin e shtegut të ecjes dhe shëtitores pranë parkut “Idriz Rreci”. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Punimet për rregullimin e shtegut të ecjes dhe shëtitores pranë parkut ‘Idriz Rreci’ kanë përfunduar me sukses, duke i dhënë kësaj zone një pamje më të rregullt, më të sigurt dhe më funksionale për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se hapësira e rregulluar tashmë ofron kushte më të mira për ecje, rekreacion dhe pushim, duke e bërë parkun më të frekuentueshëm për kategori të ndryshme të qytetarëve. “Kjo hapësirë tashmë ofron kushte më të mira për ecje, rekreacion dhe pushim, duke e bërë parkun edhe më të frekuentueshëm për familjet, të rinjtë dhe të moshuarit”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Skenderajt ka bërë të ditur se mirëmbajtja e hapësirave publike do të vazhdojë të jetë prioritet i komunës. “Mirëmbajtja e hapësirave publike do të vazhdojë me prioritet, sepse një ambient i pastër dhe i rregulluar është tregues i kujdesit ndaj qytetarëve dhe cilësisë së jetës në komunën tonë”, ka theksuar Lushtaku. /Telegrafi/