Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka konfirmuar për Telegrafin se ka pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara ankesat janë paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.
Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.
Nga PZAP kanë bërë të ditur se për të gjitha ankesat e pranuara do të vendoset brenda afatit ligjor prej 96 orësh, duke filluar nga data e parashtrimit të secilës ankesë.
Vendimet e PZAP-së pritet të kenë ndikim në procesin përfundimtar të certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ.
Ndryshe kujtojmë se sot në orën 11:00 është përmbyllur afati për subjektet dhe kandidatët për të dorëzuar ankesat në PZAP.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të shtunën.
Shpallja e rezultateve u bë pas rinumërimit, gjatë të cilit u konstatua manipulim me vota të kandidatëve për deputet. Lidhur me tjetërsimin e votës u aktivizuan institucione të sigurisë e drejtësisë. U arrestuan dhjetëra persona në disa rajone. /Telegrafi/