Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, nga dita e sotme ka nisur për herë të parë ofrimi i shërbimit të Kirurgjisë Maksilofaciale, duke zgjeruar gamën e shërbimeve kirurgjike për pacientët e këtij rajoni.
Sipas njoftimit të spitalit, dy kirurgë specialistë të Kirurgjisë Maksilofaciale, Dr. Enis Voca dhe Dr. Besim Neziri, i janë bashkuar stafit mjekësor, duke mundësuar që pacientët të marrin trajtim adekuat pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, u ka uruar mirëseardhje mjekëve të rinj, duke theksuar rëndësinë e këtij shërbimi për komunitetin.
Ai është shprehur se ndihet i lumtur që pacientëve nga rajoni i Mitrovicës tashmë do t’u ofrohet ky shërbim në një institucion publik, duke lehtësuar qasjen në kujdes shëndetësor dhe duke rritur cilësinë e trajtimit.
Nga Spitali i Mitrovicës është bërë e ditur se nisja e këtij shërbimi paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të kujdesit për pacientët në nivel rajonal. /Telegrafi/