Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Njësinë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një inspektor të Inspektoratit të Punës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
I dyshuari me inicialet G.B. është ndaluar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij.
Sipas Prokurorisë, arrestimi i inspektorit është realizuar pas zbatimit të masave të fshehta hetimore, përfshirë edhe masën e simulimit, ku ai është kapur në flagrancë.
Dyshohet se inspektori ka pranuar para nga një biznes, me qëllim që ta amnistojë atë nga shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit, pasi ishte vërejtur se disa punëtorë nuk ishin të deklaruar./Telegrafi/