Maroku dhe Senegali do të përballen sonte në finalen e madhe të Kupës së Kombeve të Afrikës, në një duel që pritet të dhurojë spektakël.
Finalja që do të zhvillohet në Rabat vë përballë dy përfaqësueset që kanë treguar më shumë gjatë gjithë turneut dhe, cilado skuadër që do të triumfojë, do ta meritojë plotësisht titullin.
Maroku, si vend organizator i këtij edicioni, e mbylli fazën e grupeve me shtatë pikë dhe më pas eliminoi Tanzaninë, Kamerunin dhe Nigerinë në fazën eliminatore, duke konfirmuar ambiciet për trofeun.
Edhe Senegali pati një rrugëtim të ngjashëm, duke grumbulluar shtatë pikë në fazën e grupeve, përpara se të linte pas Sudanin, Malin dhe Egjiptin në fazat vendimtare.
Edhe pse të dyja përfaqësueset janë të njohura për lojën ofensive dhe së bashku kanë shënuar 21 gola në turne, pritet që finalja në stadiumin “Prince Moulay Abdallah” të zhvillohet me kujdes të shtuar nga të dyja palët.
Maroku mbështetet kryesisht te dyshja sulmuese Brahim Díaz dhe Ayoub El Kaabi. Díaz është golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola, ndërsa El Kaabi ka realizuar tre.
Nga ana tjetër, Senegali ka shpërndarë në mënyrë më të balancuar golat e tij. Nga 12 golat e shënuar, Sadio Mané ka realizuar tre, ndërsa Nicolas Jackson, Pape Gueye dhe Chérif Ndiaye kanë kontribuar me nga dy gola secili.
Të dyja kombëtaret synojnë titullin e tyre të dytë në Kupën e Kombeve të Afrikës. Maroku do ta fitonte trofeun pas një pritjeje prej 50 vitesh, ndërsa Senegali ishte kampion i kontinentit në vitin 2021.
Finalja mes Marokut dhe Senegalit do të luhet sonte në Rabat, me fillim nga ora 20:00. /Telegrafi/