Ekspertët shpjegojnë pse disa ngjyra duken bukur, por nuk janë të mira për shtëpinë
Zgjedhja e ngjyrës së duhur për një dhomë mund të jetë sfiduese. Nëse nuk arrini të vendosni, provoni ta përdorni feng shui-n si udhërrëfyes. Kjo art i lashtë kinez nuk shërben vetëm për rregullimin e hapësirës, parimet e tij mund të zbatohen edhe në përzgjedhjen e ngjyrave për muret.
– Ngjyra është një mënyrë e shkëlqyer për ta përmirësuar shtëpinë. Çdo ngjyrë mbart ndjesinë e vet dhe mund të sjellë një energji të veçantë në hapësirë, thotë Abi Magill Henry, eksperte e feng shui-t.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e ngjyrave për shtëpinë, ajo thekson dy faktorë kyç: çfarë përfaqëson ngjyra në aspektin energjetik dhe elementar sipas feng shui-t, si dhe nëse ajo ngjyrë ju pëlqen realisht. Më poshtë, Magill Henry ndan këshillat kryesore për t’ju ndihmuar të drejtoni energjinë e duhur në hapësirën tuaj, transmeton Telegrafi.
1. Shmangni tonet blu në banjo për një energji më të balancuar
Duke qenë se në banjo ka shumë ujë, elementi i Ujit është shumë i theksuar në këtë hapësirë. Ekspertja shpjegon se, për të mos lejuar që chi-ja (energjia jetësore) dhe bollëku të “largohen” nga kjo dhomë, është e rëndësishme të përfshihet elementi i Tokës.
– Nuancat e verdha, kafe tokësore dhe bezhë, tonet e kuqërremta dhe rozë, të gjitha këto kujtojnë tokën dhe ndihmojnë që chi-ja të qëndrojë në hapësirë, duke e ankoruar energjinë, shpjegon Magill Henry.
Ajo këshillon të shmangen ngjyrat shumë të errëta dhe shumica e toneve blu, edhe pse janë të përhapura në banjo.
– Janë të shpeshta në banjo, por nuk janë zgjedhja më e mirë sipas feng shui-t; e forcojnë edhe më shumë elementin e Ujit dhe mund të krijojnë ndjesi lodhjeje, thekson ajo.
2. Përdorni nuanca jeshile dhe blu për një sallon mikpritës
Si një nga hapësirat më publike të shtëpisë, salloni përdoret për funksione të ndryshme, nga pritjet formale deri te çlodhja e përditshme. Ngjyra e mureve shërben si sfond jo vetëm për dekorin dhe mobiliet, por edhe për jetën e përditshme dhe momentet e rëndësishme familjare.
Për të krijuar një ambient të këndshëm, ekspertja e feng shui-t rekomandon familjen e ngjyrave jeshile dhe blu.
– Tonet jeshile dhe blu janë shumë mikpritëse dhe nxisin ide të reja dhe rritje përmes elementit të Drurit, thotë Magill Henry.
3. Mbështetuni te tonet tokësore për një dhomë gjumi qetësuese
Ngjyrat e mureve në dhomën e gjumit janë shpesh çështje shijeje personale. Magill Henry vëren se ajo që i përshtatet një personi, mund të mos funksionojë për një tjetër. Megjithatë, ngjyra bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse keni probleme me gjumin.
Në këtë rast, ajo rekomandon tone tokësore si e verdha, kafeja dhe bezha për të krijuar një kënd pushimi dhe relaksi.
– Nëse dëshironi një atmosferë më të thellë dhe më të qetë, ngjyrat e elementit të Ujit mund të jenë zgjedhja e duhur, thotë ajo.
Këtu përfshihen nuanca të thella patëllxhani, indigo e errët dhe jeshile të errëta, të cilat i japin dhomës së gjumit ndjesi thellësie dhe qetësie.
4. Lyeni kuzhinën me nuanca të verdha të çelëta
Kuzhina konsiderohet shpesh zemra e shtëpisë, ndërsa në feng shui ajo mbart energji jetësore përmes sobës dhe elementit të Zjarrit. Për të krijuar një energji të gjallë, të ngrohtë dhe mikpritëse, Magill Henry sugjeron ngjyrën e verdhë.
– E verdha është ideale për zemrën e shtëpisë dhe krijon një atmosferë komode në kuzhinë, sidomos tonet më të çelëta që nxisin energjinë e zjarrit, shpjegon ajo.
Për ta përforcuar këtë energji, ajo rekomandon të shtohen edhe detaje në të kuqe ose portokalli.
5. Përdorni nuanca të çelëta në një dhomë ngrënieje formale
Pavarësisht nëse keni një dhomë ngrënieje formale apo thjesht një kënd të dedikuar për ushqim, feng shui mund t’ju ndihmojë të zgjidhni ngjyrën që krijon një sfond elegant.
– Vetë fjala “formale” lidhet me elementin e Metalit, dhe qëllimi është krijimi i harmonisë në hapësirë, thotë Magill Henry.
Për këtë arsye, ajo rekomandon të bardhën dhe tonet pastel. E bardha e pastër është klasike dhe e përjetshme, ndërsa ngjyrat pastel shtojnë finesë dhe butësi, duke i dhënë hapësirës një ton diskret, por të këndshëm.
6. Kombinoni ngjyrat për një dhomë familjare plot energji
Të gjitha ngjyrat e ylberit lidhen me lojën dhe argëtimin. Për të sjellë sa më shumë energji në një dhomë familjare apo kënd lojërash, Magill Henry këshillon kombinimin e ngjyrave.
– Provoni një mur me ngjyrë të gjallë dhe disa elemente dekorative në ngjyra kontrastuese nëpër dhomë, sugjeron ajo.
Kombinimi i ngjyrave të ndryshme të ndezura bën që ato të theksojnë njëra-tjetrën dhe të sjellin një energji të gëzueshme, dinamike dhe pozitive në hapësirë. /Telegrafi/