Volodymyr Zelensky iu përgjigj me vendosmëri kritikave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se Ukraina nuk ka penguar asnjëherë negociatat për paqe dhe nuk do të jetë kurrë një pengesë në këtë proces.
Të mërkurën vonë, Trump akuzoi presidentin ukrainas për vonesa në arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa deklaratat e tij morën mbështetje publike edhe nga Kremlini.
Megjithatë, lideri ukrainas reagoi menjëherë përmes rrjeteve sociale, duke kundërshtuar me forcë këtë pohim.
“Ukraina nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë një pengesë për paqen. Kur ukrainasit mbeten pa energji elektrike për 20–30 orë për shkak të sulmeve ruse, dhe kur Rusia synon të shkatërrojë sistemin tonë energjetik dhe të dëmtojë njerëzit tanë, atëherë është Rusia ajo që duhet të vihet nën presion”, tha ai.
Zelensky nënvizoi se roli i Ukrainës në negociatat për paqe është gjithmonë konstruktiv, dhe se vendi i tij kërkon vetëm drejtësi dhe siguri për qytetarët e tij, duke mos u dorëzuar ndaj presioneve nga jashtë.
Ai theksoi gjithashtu se fushatat e agresionit të Rusisë ndaj infrastrukturës dhe popullsisë civile nuk mund të përdoren si justifikim për fajësimin e Ukrainës.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com