Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ngritur dyshime të drejtpërdrejta për përfitime tregtare nga importi i energjisë elektrike, duke përmendur kompani konkrete dhe shifra financiare.
Në “Përballje Podcast”, Ymeri tha se importuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë është kompania NOA.
“Kush po përfiton? NOA sepse është importuesi më i madh i energjisë elektrike…. “, deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.
Ajo theksoi se importi nuk duhet të ngatërrohet gjithmonë me bartjen e energjisë, duke sqaruar se ky është një proces më kompleks.
“Po jo edhe bartësi gjithmonë. Edhe bartja ka shumë rëndësi në energji elektrike. Nuk është si taksitë që presin gjithë kohën me ta bartë një person ose një valixhe”, u shpreh ajo.
Ymeri sqaroi se vlera e importit të energjisë ka arritur në 259 milionë euro, duke precizuar se bëhet fjalë për vitin 2025.
“Dyqind e pesëdhjetë e nëntë milionë euro vitin e kalum”, tha ajo gjatë diskutimit.
– YouTube www.youtube.com
Sipas Ymerit, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve ka shkuar pikërisht te importuesi më i madh.
“Këto që i kemi të dhëna janë të NOA-s, që ka qenë importuesi më i madh”, deklaroi ajo.
Duke folur për bartjen e energjisë, Ymeri tha se në ankandet ditore dhe mujore ka dominuar Vuk Hamoviq, përmes kompanive të lidhura në rajon.
“Në bartje ka dominuar në ankandet ditore dhe mujore Vuk Hamoviqi, me kompani nga Mali i Zi dhe Maqedonia, sepse kur hyn për bartje, hyn me tri biznese”, tha Ymeri.
Ajo shtoi se, sipas dyshimeve të ngritura në një raport të KOSTT, ka pasur edhe bashkëpunime të tjera që kërkojnë sqarim institucional.
“Ka qenë edhe Elektroprivreda që tash po del se ka bashkëpunu me NOA-n, sipas dyshimeve dhe sipas një raporti të KOSTT-it. Ata e dinë më së miri çka ka ndodhë dhe janë më të duhurit me tregu”, përfundoi Ymeri. /Telegrafi/