Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës po vazhdojnë angazhimet e shtuara për rritjen e sigurisë në trafik, pavarësisht fokusit të deritanishëm në zbatimin e planit operativ “Sezoni Dimëror”.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor, në periudhën nga 1 janari deri më 14 janar 2026, ka vepruar në kushte të vështira atmosferike, duke u angazhuar në rregullimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor, veçanërisht në zonat ku qarkullimi ka qenë i vështirësuar. Këto aktivitete janë realizuar në koordinim me zyrtarët e ministrisë përkatëse dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve.
Paralelisht me menaxhimin e situatës në terren, Policia ka theksuar se është punuar edhe në rritjen e nivelit të sigurisë në trafik. Vetëm gjatë dy javëve të para të këtij viti, në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar gjithsej 1.883 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Sipas statistikave të Policisë, përveç tejkalimit të shpejtësisë, sidomos në kushtet e dimrit, një sfidë e vazhdueshme mbetet edhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 353 automjete të paregjistruara, të cilat përbëjnë rrezik serioz për sigurinë rrugore, pasi qarkullojnë pa kontrollim teknik.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave dhe shenjave të trafikut, duke paralajmëruar se Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor – Prishtinë do të vazhdojë aktivitetet policore me qëllim të mbarëvajtjes dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/