Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga flakët, duke i marrë jetën një gruaje të moshuar.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.
Sipas tij, rreth orës 22:20 Policia ka pranuar njoftimin se një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri, ndërsa njësitet policore dhe zjarrfikëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri, në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e saj në vendin e ngjarjes,” ka deklaruar Zahiti.
Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./Telegrafi/