Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një banesë në Detroit të Michiganit, i mori jetën një fëmije 7-vjeçar, ndërsa nëna e tij mbeti në gjendje kritike për jetën. Sipas hetuesve, zjarri dyshohet se është shkaktuar qëllimisht.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së enjtes, më 19 nëntor, në një banesë në bllokun 2900 të rrugës Lawrence në Detroit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë FOX 2 Detroit dhe The Detroit News, kur ekipet e para zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, kati i parë dhe i dytë i shtëpisë ishin përfshirë plotësisht nga flakët.
Pas shuarjes së zjarrit, ekipet gjetën trupin e pajetë të 7-vjeçarit, Mikhi Williams, identiteti i të cilit u bë publik nga kryetarja e Bashkisë së Detroitit, Mary Sheffield.
Pranë pjesës së pasme të banesës u gjet edhe nëna e tij, e cila në atë moment nuk kishte puls. Ajo u dërgua me urgjencë në spital dhe, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Detroitit, deri më 25 nëntor vijonte të ishte në gjendje kritike.
Në vendin e ngjarjes u gjetën gjithashtu edhe dy adoleshentë, një djalë dhe një vajzë, të cilët u transportuan në spital për trajtim mjekësor.

