Sudani i Jugut, shteti më i ri në botë, ka zgjatur për herë të tretë afatin e regjistrimit të votuesve për zgjedhjet e para që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 2011.
Regjistrimi, i cili nisi më 14 nëntor dhe fillimisht ishte paraparë të përfundonte të shtunën, do të vazhdojë edhe për një javë tjetër, njoftoi Komisioni Zgjedhor. Në kryeqytetin Juba, tendat e regjistrimit ishin të mbushura me qytetarë që dëshironin të regjistroheshin për të votuar.
Zgjedhjet, të cilat ishin shtyrë fillimisht në vitin 2022 dhe më pas në vitin 2024, u shtynë sërish në momentin e fundit. Ato tani janë caktuar të mbahen më 11 shkurt 2027, në vend të dhjetorit të këtij viti, transmeton Telegrafi.
Vendi vazhdon të përballet me korrupsion dhe paqëndrueshmëri, ndërsa herë pas here shpërthejnë përleshje mes forcave të ish-zëvendëspresidentit dhe liderit kryesor të opozitës, Riek Machar, dhe mbështetësve të presidentit Salva Kiir.
Machar ndodhet në arrest shtëpiak që nga 26 marsi 2025, kur u arrestua dhe u akuzua për tradhti dhe krime kundër njerëzimit.
Me liderin opozitar dhe bashkëpunëtorët e tij në burg, si dhe me përleshjet e armatosura në shtetin Jonglei, në veri të kryeqytetit, disa qytetarë e shohin procesin zgjedhor si të pavlefshëm.
“Unë nuk u besoj këtyre politikanëve. Synimi i tyre është të qëndrojnë në pushtet, pa bërë asgjë për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve të Sudanit të Jugut”, tha Bak Malong, 42-vjeçar dhe aktivist për të drejtat e njeriut.
Sudani i Jugut renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në botë, sipas Transparency International. Raportet kanë ngritur shqetësime për largimin e figurave opozitare nga institucionet shtetërore dhe emërimin e familjarëve të presidentit në pozita me ndikim.
Raporte të shumta, përfshirë ato të Kombeve të Bashkuara, kanë dokumentuar se pjesëtarë të elitës qeverisëse kanë përvetësuar miliarda dollarë nga të ardhurat e naftës, burimi kryesor i pasurisë së vendit. Kjo ka lënë një pjesë të madhe të popullsisë pa shërbime bazë.
Komisioni Zgjedhor njoftoi se gjatë javëve të fundit rreth një milion persona janë regjistruar për të votuar, nga një popullsi e vlerësuar prej 12 milionë banorësh.
Megjithatë, procesi i regjistrimit po përballet me vështirësi, pasi sipas Bankës Botërore, rreth 90 për qind e popullsisë nuk posedon dokumente zyrtare identifikimi. Për këtë arsye, shumë qytetarë janë paraqitur të shoqëruar nga zyrtarë lokalë, të cilët kanë garantuar për identitetin e tyre.
“Jam shumë krenare”, tha studentja 24-vjeçare Helen Aketo Kumu Wilson, duke u bërë thirrje të rinjve të tjerë të përfshihen në proces.
Megjithatë, Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar se zgjedhjet mund të nxisin një valë të re dhune, për shkak të tensioneve etnike dhe politike.
Sipas OKB-së, përderisa Machar dhe bashkëpunëtorët e tij mbeten në burg, procesi zgjedhor mund të shndërrohet në një “grusht shteti kushtetues”, duke i krijuar përparësi presidentit Kiir.
Shqetësimet shtohen edhe nga fakti se vendi vazhdon të jetë i mbushur me armë, pas dekadash luftërash civile, të cilat nuk përfunduan plotësisht as pas pavarësisë në vitin 2011.
Machar dhe Kiir u përfshinë në një luftë civile nga viti 2013 deri në vitin 2018, konflikt që, sipas vlerësimeve, shkaktoi rreth 400 mijë viktima. /Telegrafi/

